Home Uncategorized Kufizimi i temperaturës, shkyqja e joystickeve e ngrohja me batanije – të...

Kufizimi i temperaturës, shkyqja e joystickeve e ngrohja me batanije – të gjitha masat qeveritare për kursim rryme (VIDEO/FOTO)





Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditura sot disa masa, të cilat tha se do të jenë obligative të zbatohen në institucionet publike qendrore e lokale si dhe në ndërmarrjet publike. Kjo, duke caktuar edhe temperaturën maksimale ditore.

Ajo tha se këto masa janë rekomanduar nga Komiteti Teknik Emergjent për kursimin e rrymës, në kuadër të cilave thuhet se temperatura gjatë ditës duhet të arrijë më së largu deri në 19 gradë celsius.

”Duhet të zëvendësohen poçat standardë me poça LED në të gjitha institucione publike, të ndalohet ngrohja në zyrë apo objekte ku nuk ka prezencë fizike si dhe të gjitha korridoret , të ndalohet ngrohja e ujit në institucione publike, ndalim i përdorimit të bojlerëve përveç në institucione si spitali dhe entitete tjera ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm”.





”Po ashtu, duhet të ndalen pajisjet elektrike nëse ato nuk përdoren për më shumë se 10 minuta, duhet të ndalen edhe pajisjet e teknologjisë informative nëse nuk përdoren. Klimat apo kondicionerët duhet të punojnë nëse nuk ka alternative të ngrohjes, duhet të ndalet edhe përdorimi i ngrohëseve me energji elektrike”.

”Nuk duhet të përdoret ndriçim në hapësira të brendshme dhe zyre gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme natyrore. Duhet të ndalen të gjitha billbordet dhe reklamat që shfrytëzojnë energjinë elektrike, të ndalet ndriçimi dekorativ në të gjitha objektet, aty ku është e mundshme të instalohen sisteme inteligjente për menaxhimin e konsumit me senzor”.

”Të bëhet sanimi i rrjedhjeve të ujit, të pastrohen dhe mirëmbahen sistemet e ngrohjes qendrore në të gjitha objektet që funksionojnë me të. Në të gjitha institucione të caktohet një person që është përgjegjës për menaxhim të rrymës”.





”Të jetë temperatura 19 gradë celsius gjatë orarit të punës deri në ora 16:00, të zbritet temperatura në minimum kur nuk ka staf deri të nesërmen”, ka thënë Rizvanolli.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që ministrja Artane Rizvanolli jep të tilla rekomandime. Ajo edhe në mesdhjetorin e 2021-ës, u pati bërë thirrje qytetarëve që të mos ngrohen me energji elektrike, dhe për veten pati pranuar se e shfrytëzon ngrohjen qendrore.