Home Uncategorized A mund të ndërhyjë FSK-ja për evitimin e trazirave në rast se...

A mund të ndërhyjë FSK-ja për evitimin e trazirave në rast se eskalon situata në veri?





Edhe pak ditë Kosova do ta rifillojë zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë. Por, në një situatë hipotetike të tendencës së eskalimit të dhunës në veri të Republikës së Kosovës, a mundet FSK të ndërhyjë për të evituar trazirat?

Kësaj përgjigje për Insajderin përveç njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, i janë përgjigjur dy ish-gjeneralë të FSK-së, Kadri Kastrati dhe Xhavit Gashi.

Më datë 31 korrik, serbët lokalë në veri të Republikës së Kosovës kishin vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak si revoltë ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë për targa dhe dokumentet hyrje-dalje.





Përshkallëzimi i situatës çoi në pezullim të përkohshëm të masës së reciprocitetit me Serbinë, më saktë vendimi u shty për një periudhë 30 ditore nga qeveria e Kosovës.

1 shtatori është datë kur Kosova do ta rifillojë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë. Por, në një situatë hipotetike të tendencës së eskalimit të dhunës në veri të Kosovës, a mundet FSK të ndërhyjë për të evituar trazirat?

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala tha se nëse Kosovës i cenohet integriteti territorial, FSK-ja është e detyruar të veprojë.





“Në lidhje më cenimin e integritetit territorial që mund të i kanoset Kosovës , FSK-ja është e detyruar që sipas mandatit që ka të mbroje atë në çdo formë dhe mënyre.

Derisa shtoi se FSK mund të lëvizë edhe pa lejen e NATO-s, pasi kjo gjë tashmë ka ndryshuar.

“Ndërsa në lidhje me leterdakordimi në mes NATO dhe Kosovës 2013 ku thuhet që FSK nuk mund të levizë në veri pa marr lejen kjo gjë tani ka ndryshuar më miratimin e tri ligjeve në 2019 në aspektin ligjor. Por që deri më tani qeveria ( Ministria e linjës ) nuk ka avokuar tutje në këtë drejtim që rrethanat gjeostrategjike dhe gjeopolitike në glob ka sjell edhe domosdo “shfuqizimin” e letërdakordimit në mes NATO-FSK” – tha Shala për Insajderin

Njohësi i çështjeve të sigurisë vlerësoi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit duhet ta rikthejnë letër bashkërendimin sikur para dy dekadash, ku policia e Kosovës është ndihmuar nga ajo ushtarake për ruajtjen e sigurisë nacionale.

” MPB dhe MM duhet të rikthejnë leterbashkërendimin siç ishte në ai në mes këtyre dy institucioneve para gati 2 dekadave, ku Policia Ushtarake mund të ndihmojë Policisë së Kosovës të asistojë në veprime konkrete në ruajtjen dhe sigurisë nacionale/publike” – përfundoi Shala.

Ai poshtu shtoi se Kosova duhet ta themelojë në kompetent të rëndësishëm, një batalion të gjandarmërisë që do të shërbente në rrethana aktuale.

“Kosova duhet të themelojë një komponent të rëndësishëm një batalion/ regjiment të gjandarmërisë e cila do shërbente në rrethanat aktuale duke kryer detyrën policore me kompetencë dhe qasje në asete ushtarake të vendit që mund të garantohej siguria nacionale e vendit”.

Lidhur me këtë kanë folur edhe dy ish-gjeneralë të FSK-së, më saktësisht me Kadri Kastrati dhe Xhavit Gashi.

Ish- Gjenerallejtënant Kadri Kastrati vlerëson se FSK nuk duhet të angazhohet në Veri të vendit edhe nëse eskalon situata, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon Presidentja e Vendit.

“Mendimi im është se FSK nuk do te angazhohet ne veri edhe nëse eskalon situate. Komandant suprem eshte presidentja e R te Kosoves dhe nese ajo kerkon qe fsk te angazhohet ajo duhet te angazhohet” – tha ai.

Kastrati nënvizoi edhe njëherë misionin që kanë Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“FSK një prej detyrave që ka në misionin e vet është që të mbështesin autoritetet qëndrore dhe ato lokale. Nuk e ka në mision që të merret me detyra të brendshme sepse ajo është punë për policinë e Kosovës” – përfundoi Kastrati.

Ndërkaq, ish-gjenerali i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Xhavit Gashi, pohon se FSK duhet të jetë e gatshme të veprojë nëse kërkohet nga NATO një gjë e tillë.

“FSK me statusin aktual ka mision dhe kompetenca si çdo ushtri tjetër në vende demokratike. Kuptohet FSK është dhe duhet të jetë e gatshme për të vepruar nëse NATO kerkon nga Qeveria e Kosovës një gjë të tille” – tha Gashi për Insajderi.

Me datë 18 të këtij muaji, Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar ndaras me shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa më pas kanë mbajtur edhe takim trepalësh në të cilën takim nuk pati përshëndetje e shtrëngim duarsh.

Megjithatë, pavarësisht takimeve, nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa u përket çështjes së targave dhe dokumenteve për hyrje-dalje në kufi.