Home Uncategorized Mërgimtari nga Suedia pretendon se dikush ia tërhoqi 1 mijë euro nga...

Mërgimtari nga Suedia pretendon se dikush ia tërhoqi 1 mijë euro nga xhirollogaria, njofton Policinë





Një mërgimtar nga Suedia ka raportuar gjatë ditës së djeshme në stacionin policor në Vushtrri se dikush ia ka tërhequr një shumë të krunave suedeze (rreth 1 mijë euro) nga llogaria e tij bankare. Ai e zbuloi se nuk i posedonte këto para pasi e kishte kontrolluar llogarinë, prandaj ka kërkuar ndihmë nga Policia.

Sipas dëshmisë së tij të dhënë para hetuesve policorë thuhet se ai fillimisht kishte shkuar në bankën TEB, ku ka kërkuar sqarim nga njëri prej zyrtarëve të bankës, duke iu kërkuar që t’i shikojnë kamerat dhe pas refuzimit të këtyre të fundit, ai është drejtuar në Polici.

Burimet thonë se mërgimtarit i është kërkuar të kontaktojë bankën në Suedi në të cilën e ka llogarinë e regjistruar.

Ai ka deklaruar në Polici se nuk ka dyshime te askush, pasi kartelën e tij nuk e ka marrë askush. Pas përfundimit të intervistimit, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për inicimin e rastit si “Vjedhje e Identitetit dhe Pajisja e Qasjes”.