Home Uncategorized Vizat me 23 qershor? Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon cilat janë mundësitë...

Vizat me 23 qershor? Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon cilat janë mundësitë për Kosovën





Liderët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të takohen me 23 qershor.

E në këtë takim mund të ndodh edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Se sa mund të ndodh kjo, për Gazeta Blic ka folur eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula.

Ai thotë se BE ka qenë e padrejtë ndaj Kosovës prej vitesh.





“Se sa i padrejtë ishte Unioni Evropian me Kosovën, e tregon neglizhenca e saj prej vitesh. Nuk duhet harruar se më 2012-tën, ishin Kosova e Gjeorgjia që nisën bisedimet me UE-në mbi heqjen e vizave, por Gjeorgjia përkundër edhe situatës politike e të sigurisë, me dy territoret e saj Osetinë dhe Abkhazinë, më 2017-tën u shpërblye me heqjen e vizave ndërkaq Kosovën e lanë të izoluar”, vlerëson Pula.

Ai uron të mos befasohemi sërish me neglizhencë.

“Gjatë javës do të mbahet samiti i Unionit Evropian dhe bazuar në një draft-agjendë të datës 19 qershor 2022, thuhet të diskutohet mbi Ukrainën, çështjet ekonomike, të ardhmen e Evropës por nuk kishte pikë specifike mbi Kosovën! Prandaj dhe uroj të mos befasohemi sërish me neglizhencën e radhës”, thekson ai për Gazeta Blic.





Pula shton se pritjet janë të mëdha që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave, derisa thotë se BE duhet të tregojë guxim politik dhe vendosmëri ndaj Ballkanit Perëndimor e në veçanti Kosovës.

“Ndërkaq, pritjet janë të mëdha, shto faktin që prej katër vitesh tashmë jemi në pritje pas konkludimit dhe rekomandimit zyrtar nga Komisioni Evropian për Këshillin Evropian të UE-së. Unioni Evropian duhet të tregojë guxim politik, vendosmëri dhe vizion për Ballkanin Perëndimor e veçanërisht për Kosovën; e edhe në kontekstin e sotëm të një lufte në kontinentin Evropian, si dhe një mjedisi ndërkombëtar në përkeqësim.

Andaj, Unioni Evropian duhet të jetë një partner i besueshëm i Republikës së Kosovës dhe një aktor i besueshëm gjeopolitik që u përmbahet parimeve dhe vlerave të saj në raport me vendin tonë. Nuk duhet harruar në të njëjtën kohë se angazhimi i kahershëm i Kosovës është ruajtur, kështu që, pritjet për heqjen e regjimit të vizave, nuk duhet të vazhdojnë të mos konsiderohen. Kjo është arsyeja pse Kosova fuqimisht trumbeton aspirata të njëjta për Evropën me UE-në”, deklaron eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

E në rast se nuk ndodh sërish një vendimmarrje, ai thekson se duhet pritur samitin e radhës të UE-së, më 20-21 tetor 2022./Gazeta Blic/