Home Uncategorized Edmond Hoxha i tha nënës së tij: Xhavit Haliti nuk është kot...

Edmond Hoxha i tha nënës së tij: Xhavit Haliti nuk është kot në Shqipëri, ai po merret me punë të rëndësishme





BEDRI ISLAMI:

Edmond Hoxha, që në fillesën e lëvizjes klandestine do të merrte përsipër pseudonimin “Shpati”.

Herë pas here, si për t’u mësuar me emrin e tij të ri, ai e shkruante atë në faqe të ndryshme fletoresh, si për të dëshmuar se tash e tutje, jeta e tij, më tepër se t’i takonte Edmondit, do i takonte “Shpatit”.

Thyerja e natës së 31 janarit dëshmoi se kjo nuk kishte qenë e rastësishme. Në një bllok të vogël shënimesh, me një shkrim jo të bukur, por qartësisht të lexueshëm, ai ka shkruar të gjitha ditët e muajit janar 1997, deri tek 30 janari. Nuk e di pse e ka bërë këtë.





Nuk e di as përse nuk e ka shkruar 31 janarin. Por, pas shënimit të ditës së 30 janarit, ka shkruar, duke e nënvizuar se “një popull që fle, është i destinuar të vde.së”. Shpati. Në germat e fjalës “Shpati”ka shumë mbivizime, si për të dashur të theksonte se edhe ai ishte aty. Si duket, ai e ka shkruar disa herë emrin e dytë të tij, si për të dashur të thotë se nuk duhet të flemë. Dhe ka shtuar, me po të njëjtin shkrim, “hapni sytë, se boll kemi fjet”.

Edmondi është studenti apo i riu tipik që, ndërsa respekton ndejat e zakonshme apo të veçanta të njerëzve, sidomos të miqve të të vëllait, i lejon vetes të drejtën e vëzhgimit, të bëjë përcaktime, të ketë një prirje ndaj atyre që, më shumë se sa të flasin, kanë një fillesë veprimi konkret, dhe ndoshta kjo është pikërisht shtysa e parë e tij drejt Xhavit Halitit, Luan Haradinajt apo Azem Sylës.

Ai i dëgjon më vëmendje fjalët e miqve të shtëpisë së tij, pavarësisht nëse ajo është në kullën e Junikut apo diku pranë qytetit të Durrësit, nuk u nëpërkëmb mikpritjen dhe dinjitetin, por, jo rastësisht, i thotë nënës së tij se “Xhavit Haliti nuk është kot në Shqipëri, ai po merret me punë të rëndësishme”- si për të dashur të qetësojë atë, por edhe të ketë fillesë të re në rrugëtimin e jetës së tij.





Do të jetë disi e papritur për familjarët e tij miqësia e Edit me disa nga ata që do të bënin emër në lëvizjen ilegale, megjithatë, kishte ardhur një kohë kur gjërat po shndërroheshin marramendshëm shpejt dhe, natyrshëm, ai donte të ishte pjesë e saj. Portreti : Edmond Hoxha nuk ishte as 22 vjeçar në ditën kur u vra. Nuk e kishte menduar kurrë, dhe nuk kishte se si ta mendonte, se në mbrëmjen e natës së 31 janarit 1997, do të bënte udhëtimin e fundit të jetës së tij.

Ishte ende në atë fazën, në mund të themi kështu, të harlisjes së trupit të tij, që kishte shkuar bukur së gjati dhe që ishte formësuar mjaft mirë. Më shumë se gjithçka tjetër ai ka tiparet e një djali të ri, malësor, i hijshëm, i mësuar që të durojë, të heshtë dhe të mirëkuptojë, gjëra që shihen edhe në tiparet e fytyrës së tij.

Në sytë e Edmondit ka zënë vend jo vetëm hijeshia, por edhe fillesa e një mendimi që do të mund të rritej edhe më shumë, nëse nuk do të ndërpritej dhunshëm dhe përgjakshëm më 31 janar.

Ai është një djalë serioz. Gjithçka e tregon për të tillë; vështrimi i tij është plot kërshëri, në të nuk ndjehet asgjë tragjike dhe njëkohësisht asgjë meskine. Në një fotografi të njohur të tij, në qytetin e Lezhës, në Muzealin e Skënderbeut, duke ngritur lart shpatën e tij, mund të dallosh fare mirë shenjën e fluturimeve në lartësi, të derdhjes së dritës, përngritjen e guximshme shpirtërore, nën kupolën e mermertë të ballit të tij.

Ai është një i ri ëndërrimtar, që shpejton të kalojë vitet dhe megjithëse mundohet të skalisë këtë qëndrim edhe në pamjen e jashtme, nuk do të mund t’ia arrijë: fytyra e tij mbetet e thjeshtë dhe e pa arritshme, njëkohësisht. Gjithçka e derdhur në ballin e tij dëshmon se aty nuk ka frëngji.

Aty drita hyn e kthjelltë. Dhe ai mbetet i tillë në memorien e njerëzve. Në vitin e fundit të jetës së tij studenteske, shikimi i Edit fillon e bëhet më serioz, portreti i tij bëhet më i prerë, të duket sikur mbi gjithçka është ulur halli që po mundohet të bartë.