Home Uncategorized Çfarë do të ndodhë me pajisjet e kriptovalutave?

Çfarë do të ndodhë me pajisjet e kriptovalutave?





Institucionet e Kosovës kanë konfiskuar në ditët e para të janarit 429 pajisje që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.

Konfiskimi pason masat emergjente për energji elektrike, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kriptovalutat, shpenzojnë shumë energji elektrike, dhe për ta kursyer atë, kanë marrë vendim për ndërprerjen e prodhimit të parave digjitale.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elashni, thotë se ka mënyra të ndryshme për identifikimin e atyre që njihen si “ferma” të prodhimit të kriptovalutave.





“Identifikimi mund të bëhet përmes bashkëpunimit të qytetarëve, pastaj mund të bëhet edhe përmes shikimit të aktivitetit në internet. Përmes furnizueseve të internetit ka mundësi që të detektohet trafiku që shfrytëzohet për mihjen e kriptovalutaeve, sepse ato [pajisjet] përdorin protokolle të veçanta të rrjetit”, thotë Elshani.

Pjesa e veriut të Kosovës, e përbërë nga komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, besohet se është shndërruar në lokacion joshës për hapjen e “fermave” për kriptovaluta.

Kjo për faktin se në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qytetarët nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar qysh në vitin 1999.





Po ashtu, ofruesit e internetit atje janë kryesisht nga Serbia dhe veprojnë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Por, Elshani thotë se kjo nuk paraqet problem për t’i identifikuar ata që merren me prodhim të kriptovalutave.

“Pavarësisht se prej nga vjen interneti, mund të detektohen përmes pajisjeve që gjenden në Kosovë, si routerëve [pajisje për internet] të ndryshëm, pastaj edhe pajisjeve të tjera, të cilat e mundësojnë ndërlidhjen me internet”, thotë Elshani për rel.

Më 8 janar, Policia dhe Doganat e Kosovës kanë konfiskuar 272 pajisje Antminer për prodhimin e kriptovalutave në Leposaviq.





Aksionet e policisë vënë në konfuzion komunitetin e prodhimit të kriptovalutave

Aksionet e Policisë së Kosovës kanë krijuar konfuzion te qytetarët që merren me prodhimin e kriptovalutave.

Në një grup në rrjetin social Facebook, shumë prej tyre kanë kërkuar sqarime se si mund t’i identifikojë policia në rast se kanë aparate aktive.

Njëri pyet anëtarët e tjerë të grupit nëse është i rrezikuar që t’i konfiskohen edhe atij pajisjet, që thotë se i ka të importuara në mënyrë legale.

Bisedë në rrjetin social Facebook në mes të personave që merren me prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.

Megjithëse pajisjet për prodhimin e kriptovaltuave janë duke u konfiskuar në Kosovë, ato vazhdojnë të tregtohen lirshëm në platforma të ndryshme online.

Më 5 janar, një person vendosi në shitje 100 pajisje të llojit Antminer, të cilat shërbejnë për prodhimin e kriptovalutës së njohur Bitcoin.

Çmimet e pajisjeve janë të ndryshme, varësisht nga kriptovaluta, brendi dhe fuqia e pajisjes.

Çmimet variojnë nga 150 deri në 10 mijë euro.

Doganat: E konfiskojmë çdo pajisje pa dokumentacion

Dogana e Kosovës ka thënë se do të konfiskohet çdo pajisje që shërben për prodhimin e kriptovalutave, në rast se nuk i ka dokumentacionet e nevojshme.

“Secila pajisje apo produkt që është në Kosovë dhe nuk ka procedura doganore, pra nuk është i zhdoganuar, automatikisht i nënshtrohet konfiskimit”, thanë Doganat e Kosovës.

Ato nuk sqaruan se çfarë do të ndodhë me pajisjet e konfiskuara.

Sipas Kodit Doganor dhe Akcizave në Kosovë, nëse një person juridik apo fizik sjell në mënyrë të fshehur mallin në Kosovë, ai mall do të konfiskohet.

Ai mall mund t’i kthehet pronarit apo kryesit të shkeljes administrative doganore, sipas kërkesës, në qoftë se është fjala për mallin, për të cilin janë plotësuar kushtet e importit dhe me kusht që paraqitësi i kërkesës paguan vlerën e mallit dhe detyrimet importuese.

Ndryshe, Kodi parasheh që malli i konfiskuar mund t’i nënshtrohet shitjes.

Sipas tij, duhet të krijohen edhe procedurat për mbrojtjen e konsumatorit nga rreziqet potenciale të investimit në kriptovaluta.

Pas konfiskimit të 272 pajisjeve Antminer që shërbejnë për prodhim të kriptovalutave në Leposaviq, ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se ato pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kilovatë energji elektrike në muaj.

Kjo, sipas tij, mund të krahasohet me shpenzimin mesatar të 500 shtëpive.

Sipas Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje Antminer në vlerë prej rreth 3,000 eurosh, ndërsa kartela grafike janë importuar në vlerë prej 583 mijë eurosh.