Home Uncategorized Shqipëria do ta fuqizojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, këto janë...

Shqipëria do ta fuqizojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, këto janë dy stategjitë që duhet përdorur





Ky moment i shënuar është një mundësi për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

Kështu është shprehur ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, për mandatin dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Ajo ka thënë se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë moment për të avancuar çështjen e Kosovës.





“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë.

Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve.

Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, ka thënë ajo.





Por, sa do të ketë mundësi Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën me njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, gjatë kësaj periudhe sa është në KS të OKB-së?

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sami Blakaj, thotë për gazetën “Bota sot” se anëtarësimi i Shqipërisë është pozitiv edhe për Kosovën që ta fuqizojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

“Ky vit ka nisur vërtetë mbarë për shqiptarët, pasi Shqipëria në këtë fillim vit është bërë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), me mandat dyvjeçar.

Anëtarësimi i Shqipërisë në KS të OKB-së padyshim se do të ketë ndikim pozitiv për Ballkanin në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.

Si pjesë e KS të OKB-së, Shqipëria tanimë do ta ketë më të lehtë ta fuqizojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe këtë mund ta bëjë më së miri duke qenë proaktive në procesin e njohjeve dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale”, ka thënë ai.

Sipas Blakajt, për të pasur sukses duhet një strategji në mes të dyja vendeve dhe përmes saj të vendosen prioritetet diplomatike, e në kuadër të saj mund të jetë anëtarësimi i Kosovës në Interpol, NATO dhe OKB.

“Por, për të pasur sukses në këtë drejtim fillimisht është e nevojshme që të ndërtohet një strategji e përbashkët diplomatike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe përmes kësaj strategjie të vendosen prioritetet e qarta diplomatike, të cilat do ta avanconin agjendën e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

Në preambulën e kësaj strategjie duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, NATO dhe OKB. Është e domosdoshme, mbase edhe jetike për Kosovën që të jetë pjesë e diskutimeve dhe vendimeve që i shërbejnë paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, ka theksuar Blakaj për gazetën “Bota sot”.