Home Uncategorized Koalicioni me PDK-në/ Ky është paralajmërimi për Vetëvendosjen

Koalicioni me PDK-në/ Ky është paralajmërimi për Vetëvendosjen





Dikur kishin premtuar kurrë me PDK-në, por Lëvizja Vetëvendosje tani ka arritur marrëveshje koalicioni për të bashkëqeverisur me PDK-në në Gjilan.

Madje kryetari i sapo zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni, thotë se ndryshimin tani mund ta bëjnë me PDK-në.

“Me PDK-në që ka qeverisur me Gjilanin më herët… pra PDK edhe për nga koha e qeverisjes, s’po them që mund të shfajësohet ose s’po them që po dua ta amnistoj, për ato gabime që i ka bërë në të kaluarën, por tash për tash, ndryshim edhe me PDK-në mund të bëjmë.





Sepse fundja duke qenë dy mandate në opozitë, ata domosdoshmërish e kanë të obliguar të punojnë mirë dhe drejt”, është shprehur kryetari i Gjilanit nga radhët e VV-së, Alban Hyseni.

Por koalicionin mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, po e kundërshton analisti politik, Faton Mehmeti, sipas të cilit, VV i ka hequr vijat e kuqe që i kishte vendosur PDK-së.


“Me veprimet e fundit, Vetëvendosje ka shkelur mbi fjalën e saj, mbi atë që trumbetonte në vazhdimësi” vija të kuqe me PDK”. Bërja e koalicioneve me PDK është kundër asaj që thonin, në këtë kuptim VV e ka obligim moral që jep një shpjegim se çfarë ka ndodhur që ka ndryshuar qëndrim ndaj PDK, pse u hoqën vijat e kuqe”, thotë Mehmeti.





Sipas tij, Vetëvendosje mund t’i humbas votuesit anti PDK.

“Mënyra se si VV bëri koalicion pa asnjë shpjegim, shkon në dëm të saj. Nëse vazhdon kështu, VV do të humbas elektoratin anti PDK, që nuk është edhe i vogël. S’duhet të hesht Vetëvendosje, ajo duhet të shpjegojë pse ndryshojë qëndrim. E ka obligim ndaj elektoratit të saj”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Më tej, Mehmeti ka treguar edhe arsyet që sipas tij, VV-në e quan në koalicion me PDK-në.

“Natyrisht, nëse VV nuk ka sqarim të duhur dhe bindës ndaj votuesve të saj për heqjen e vijave të kuqe ndaj PDK. Kështu që, Vetëvendosje duhet të reagojë me urgjencë që mos ta neglizhojë reagimin e fortë të votuesve të saj ndaj koalicioneve të saja me PDK në disa komuna. Nevoja e madhe që mos të shkohet në zgjedhje në disa komuna e ka shtyrë VV për koalicione me PDK-në, me qytetarët që do ia faturonin VV-së fajin për shkuarje në zgjedhje”, deklaron Faton Mehmeti.

Për fund, ai thotë se votuesit mund t’i hakmerren Vetëvendosjes në zgjedhjet e radhës.

“Gjithsesi, VV është dashur, e ka detyrim ndaj votuesve të saj anti PDK për t’ia shpjeguar ndryshimin e qëndrimeve. Jam i bindur se një pjesë e votuesve do i hakmerren VV-së për koalicionet me PDK-në në zgjedhjet e radhës”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.