Home Uncategorized E nxori armën nga xhepi dhe e qëlloi 6 herë, si ndodhi...

E nxori armën nga xhepi dhe e qëlloi 6 herë, si ndodhi tragjedia në Llaushë të Skenderajt

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Skender Qerimi, i cili dyshohet se vrau gruan e tij Lirie Qerimin, dje në Skenderaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, “ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën,

ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.”

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 05 janar dhe gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.