Home Uncategorized Aktakuzë ndaj 5 policëve: I ofenduan rëndë dhe i mëshuan grushte qytetarëve...

Aktakuzë ndaj 5 policëve: I ofenduan rëndë dhe i mëshuan grushte qytetarëve të lidhur





Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: S.H., V.K., F.K., A.P., dhe A.K., persona zyrtarë policor, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktakuzës, me datë 16.07.2020, rreth orës 11:00 në Prizren, në automjetin zyrtar – kombi policor dhe në stacionin policor “Alfa“, të akuzuarit në cilësi të personave zyrtarë, në kuadër të NJSO – Prishtinë, keqpërdorin detyrën apo autorizimet e tyre, keqtrajtojnë, frikësojnë dhe fyejnë rëndë dinjitetin e personave tjerë, të dëmtuarve: I.K., L.K., E.K., dhe N.D., në atë mënyrë që pasi i fusin në automjetin-kombi të policisë,





gjatë transportimit të tyre prej sheshit “Shatërvan”gjer në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, derisa të dëmtuarit ishin me pranga në duar, të njëjtit i keqtrajtojnë me fjalë të rënda fyese dhe sharje ndër më të ndryshmet. Po ashtu, të njëjtit i keqtrajtojnë duke i sulmuar fizikisht, me shuplaka dhe grushte, me ç’rast i dëmtuari I.K., dhe L.K, pësojnë lëndime trupore të shkaktuara nga goditja me mjet të fortë dhe të rëndë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.