Home Uncategorized Ja se si mund të informoheni për reduktimet e energjisë elektrike

Ja se si mund të informoheni për reduktimet e energjisë elektrike





Kriza e energjisë elektrike në Kosovë është duke u thelluar çdo ditë, duke bërë kështu që të ketë reduktime të shumta.

Nga KEDS-i kanë njoftuar se mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit kanë bërë që kufizimet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes një njoftimi për media ka treguar për mënyrat e informimit për kufizimet e energjisë elektrike.





“Informimi i konsumatorëve për këto kufizime të planifikuara është duke u bërë përmes aplikacionit eKesco (https://fatura.kesco-energy.com/auth/login), për konsumatorët të cilët kanë llogari të hapur në këtë aplikacion.

Po ashtu në ueb-faqe të KEDS, përmes hartës konsumatorët mund të shohin kufizimet e planifikuara që do të ndodhin në pikën matëse të saj/tij apo të lagjes ku jeton. Po ashtu, edhe mediat do të njoftohen për planin e kufizimeve, pasi këto plane t’i pranojmë nga KOSTT”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Buzhala ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët.





“Për të eliminuar këtë dukuri, kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Konsumatorët të cilët janë pa energji elektrike, sipas planit të kufizimeve duhet që pajisjet elektrike mundësisht t’i kenë të shkyçura apo të larguara nga priza, në mënyrë që procesi i rikyçjes të secilës dalje të realizohet në mënyrë të suksesshme”, tha ai përmes email-it.

Nga dita e mërkurë Kosova po përballet me reduktime të shumta të energjisë elektrike.