Home Uncategorized Arrestimet për vilat në Brezovicë, Veton Surroi bashkëpronar i kompleksit për të...

Arrestimet për vilat në Brezovicë, Veton Surroi bashkëpronar i kompleksit për të cilin dyshohet se u dhanë 410 mijë euro ryshfet





Një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting”, për të cilën kompani Prokuroria Themelore në Ferizaj pretendon se ka dhënë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore është edhe publicisti kosovar, Veton Surroi, raporton Gazeta Express.

Kallxo.com ka publikuar detaje nga dosja Prokurorisë, pasi dje është arrestuar ish-kryetari Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic, nën dyshimet se ky i fundit ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve emri i Surroit figuron në listën e aksionarëve me 30 %, derisa aksionari tjetër është Gentjan Sula me 70 % të aksioneve.





Në media edhe vite më herët ishte raportuar për dyshime të dallavereve me lejet ndërtimore në Brezovicë ku dyshohej se ishte përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”

Në vitin 2020, lidhur me raportimet e asaj kohe, Surroi në një përgjigje për Gazetën Insajderi, kishte mohuar se është bërë ndonjë shkelje, derisa për vete kishte thënë se është aksionar i vogël.

“Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, ka thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin në vitin 2020./GazetaExpress/