Home Uncategorized Musliu për incidentin me Pecin: Nuk tërhiqem, më akuzoi për akte kriminale...

Musliu për incidentin me Pecin: Nuk tërhiqem, më akuzoi për akte kriminale dhe do ta padis





Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka folur në një konferencë për media pas incidentit që ka pasur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ku këtë të fundit e ka gjuajtur edhe me ujë në Komision Parlamentar.

Ajo ka sqaruar se sipas saj, Peci e ka injoruar vazhdimisht atë në lidhje me pyetjet e parashtruara nga ajo për vendimin për anulimin e thirrjes për grante, shkruan lajmi.net.

“Siç jeni në dijeni që nga 25 nëntori kam kërkuar sqarim nga Peci për të ditur se çfarë ka ndodhur me thirrjen për grante. Deri kur unë e kam ngritur këtë çështje, bujqit kanë qenë në terr informativ.





Në Kuvend, ai ka thënë se kjo thirrje është anuluar. Në pyetjen time pasuese se pse është anuluar, ai e ka anashkaluar pyetjen time dhe nuk ka dhënë përgjigje. Kam kërkuar nga ministri që të ma dërgojë me shkrim vendimin e anuluar dhe nuk e kam marrë. Më 2 dhjetor kam protokoluar një pyetje me shkrim ndaj ministrit. I bie që ministri e ka marrë pyetjen më 3 dhjetor.

Pasi që ai e ka marrë këtë pyetje, ai më 7 dhjetor e ka publiku vendimin për anulim të kësaj thirrjeje. Kur ka ardhë pyetja në Kuvend, unë i kam adresuar pyetjen meqë nuk kisha marrë sqarim më 25 nëntor. Ai ka filluar të më tregojë për arrestimet, në vend që të më jap përgjigje.

Unë i kam bërë pyetje shumë të qartë meqë është obligative që anulimi duhet të jetë publik. Ministri ka filluar të më ofendojë se kinse unë i kam marrë për vete grantet. Askush as nga unë as nga familja ime nuk ka marrë dhe as aplikuar për këto”, ka thënë Musliu.





Ajo ka thënë se Peci e ka akuzuar atë pa asnjë bazë se qëndron prapa krimit, dhe se për këtë ajo do ta padis ministrin.

“Sot në seancë plenare, unë kam marrë raportin me shkrim, raportin e të arriturave. Pas disa pyetjeve që ia bëra, ia bëra edhe një pyetje për vendimin në fjalë, pasi që në vendim thuhet diçka tjetër, në raport diçka tjetër.

Në vendimin për anulim, thuhet se ka pasur vendime me më shumë rëndësi. Në raport ka diçka paragjykuese: Me qëllim të ndalimit të keqpërdorimit është shfuqizuar thirrja për grante për zhvillim rural.





Ministri shkon edhe më tej me mashtrime dhe manipulime dhe tash është i zënë se gjithçka është elektronike. I zënë me presh në dorë, ai fillon të fyejë dhe të akuzojë. Kërkova nga ministri të dij edhe për një letër ku më bën përgjegjëse për shumë akte kriminale. Për këto akuza të ministrit, ai më akuzoi se qëndroj prapa krimit. Dhe për këtë unë do të ngris padi ndaj ministrit Peci”, ka thënë ajo.

Musliu ka thënë se nuk tërhiqet nga veprimi i saj.

“Në momentin që ai fillon të më bëj pjesë të krimit, unë i kërkoj kryetares së Komisinit që ta ndërpres fjalën. Unë nuk tërhiqem, e kam bë me vetëdije të plotë. E kam gju me ujë për të ndërprerë shpifjet dhe akuzat në drejtim timin”, ka thënë Musliu. /Lajmi.net/