Home Uncategorized Këta janë ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit që po akuzohen për keqpërdorim...

Këta janë ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit që po akuzohen për keqpërdorim të detyrës





Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër pesë ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se ish-zyrtarët të cilët po akuzohen për këtë vepër janë:

Islam Thaqi – ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prizrenit,
Fatmir Memaj – ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit,





Refki Muzbeg – bashkëpunëtor profesional të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit,
Enver Bytyqi – inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit dhe,
Krenare Koqi – shefe e kabinetit të ish-kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt të vitit 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, Islam Thaqi, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj, në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor,

Refki Muzbeg, në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor, Enver Bytyqi, si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për inspekcion dhe Krenare Koqi, në cilësi të shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”,





“Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K., dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të ndërtimtarisë të Drejtorisë së inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 03.12.2018, ndërpresin punimet rreth rrënimit.

Vendimin e tyre ata e kishin arsyetuar duke thënë se rrënimi i objektit të ndërtuar pa leje, mund të dëmtojë objektin afër “Teqen Melami”, që është e mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

Kështu, Prokuroria cilëson se zyrtarët komunalë ua kanë mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim, duke u lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.





Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza në këtë rast përfshin edhe investitorët V.K. dhe A.K., mbi të cilët rëndojnë akuzat për veprat”Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.”

Ndërsa, në aktakuzë thuhet se A.K. dhe V.K., me datë 08.05.2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave, dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.

Me këto veprime, të pandehurit A.K., dhe V.K., në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” sipas KPRK-së.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se të pandehurit A.K., dhe V.K., prej datës 08.05.2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2. Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu t’u shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhri për publikimin e aktgjykimeve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.