Home Uncategorized Djegia e flamurit serb në Tiranë, vjen reagimi i ashpër nga Edi...

Djegia e flamurit serb në Tiranë, vjen reagimi i ashpër nga Edi Rama





Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me incidentet që ndodhën pasditen e së hënës me flamujt serbë të vendosur në bulevard me rastin e vizitës së presidentit Aleksandar Vuçiç.

Në një koment të bërë në një postim të tijin në Facebook, kreu i qeverisë sjell në vëmendje që gjatë vizitës së tij në Beograd kishte flamuj të Shqipërisë në sheshe dhe ata që i dogjën u arrestuan nga policia.

Po ashtu, duke u përgjigjur akuzave të bërë për qëllimet e nismës së “Ballkanit të Hapur, Rama thotë se në Beograd flet shqip dhe se në gjuhën e tij amtare ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia.





“Ballkani i Hapur” shton Rama, është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të rajonit, por ka edhe interes strategjik për vendin dhe gjithë kombin shqiptar.

EDI RAMA NË FACEBOOK

“E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia;

e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhtar tani,





thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë,

jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare.”