Home Uncategorized Sa para ua merr Trusti për t’jua ruajtur kursimet pensionale?!

Sa para ua merr Trusti për t’jua ruajtur kursimet pensionale?!





Mbi 2.3 miliardë euro ka arritur vlera e kursimeve të mbi 700 mijë kontribut-paguesve, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), apo, siç njihet ndryshe, Trusti.

Për menaxhimin e këtyre mjeteve, qytetarët paguajnë dy tarifa ose rreth 40 euro në vit, varësisht nga bilanci në llogaritë e tyre.

Sikurse çdo vit, këto tarifa janë miratuar më 13 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së FKPK-së.





Njëra tarifë quhet operacionale, ndërsa tjetra investive.

Për tarifën investive, qytetarët paguajnë 0.32 për qind, kurse për atë operacionale 0.057 për qind, varësisht nga bilanci kontribuues që kanë në llogari.

Nga këto dy tarifa, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, vitin e kaluar, ka arritur të grumbullojë rreth tetë milionë euro.





Rreth 1.2 milion euro nga kjo shumë ndalen për t’i mbuluar shpenzimet dhe nevojat e punëtorëve të këtij Trusti.

Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, tregon se tarifa operacionale shpenzohet për nevojat e funksionimit të institucionit, duke filluar nga qiraja e zyrës, pagat e deri te postimi i pasqyrave të llogarisë dhe shpenzimet tjera për operim.

FKPK-ja është institucion që nuk financohet nga buxheti i Kosovës, por financohet duke ngarkuar tarifa menaxhuese mbi mjetet nën administrim, përkatësisht mjetet pensionale.

Tarifa për investime, ndërkaq, shkon për menaxhuesit e mjeteve për investime, pasi pjesa më e madhe e fondit menaxhohet në tregjet ndërkombëtare.

Me gjithë miratimin e përvitshëm të tarifave nga Kuvendi i Kosovës, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë nuk janë në dijeni se Trusti ndal para për menaxhimin e investimeve.

Albert Gashi, punonjës në sektorin privat, thotë se nuk ka informacione për pagesa të tilla.

“Hiç nuk e di, nuk e di. Pse, edhe Trusti ndal para?”, thotë Gashi.

Trusti u ofron kontribuueseve qasje online në llogaritë e tyre të kursimeve pensionale.

Naimi, punonjës në njërin nga institucionet publike, thotë se ka qasje në llogarinë e kursimeve, por, siç shton, ai nuk u ka kushtuar vëmendje taksave që i ndalen.

“Realisht e shikoj bilancin e llogarisë çdo muaj, taksat nuk i kam parë. Nuk e kam të qartë pse paguhen këto taksa dhe nuk e di as shumën mujore apo vjetore që paguaj për menaxhimin e mjeteve”, thotë ai.

Blerina Haziraj thotë se ka informacione për disa tarifa, por jo edhe për shumën.

“Trusti e dërgon pasqyrën e llogarisë vjetore, por nuk e di sa paguaj” , thotë ajo.

Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, sqaron se sa paguajnë qytetarët për këto llogari:

“Te tarifa investuese 0.32 për qind, kjo varet nga bilanci që personi ka në llogari. Por, marrim një llogari prej rreth 10 mijë eurosh, tarifa vjetore është rreth 32 euro ose 2.6 euro në muaj”.

“Në rastin e tarifës operacionale, prapë po e marrim një llogari prej 10 mijë eurosh, kontribut-paguesi duhet të paguajë 5.7 euro në vit ose 50 centë në muaj. Por, nëse vlera është më e vogël, kjo vlerë shkon deri në 20 centë në muaj. Pasi, rreth 80 për qind e llogarive janë nën 10 mijë euro”, thotë Demi.

Arsyeja e këtyre tarifave, shton ai, ndërlidhet me funksionimin e institucionit, por edhe me ruajtjen e vlerave të investimeve pensionale.

Sipas tij, FKPK ngarkon tarifa të ulëta menaxhuese dhe është ndër fondet pensionale me tarifat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension, përkatësisht moshën 65 vjeç.