Home Uncategorized Këta janë dy të arrestuarit që dyshohet se kërcënuan gazetarin Vehbi Kajtazi

Këta janë dy të arrestuarit që dyshohet se kërcënuan gazetarin Vehbi Kajtazi





Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pas deklaratave të tij për “Grupin e Kumanovës”. Burimet e Sinjalit brenda prokurorisë kanë njoftuar se personat e arrestuar janë Brahim Hajvazi dhe Kadri Raqi.

Raqi dhe Hajvazi janë arrestuar sot, pasi dje Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet për 100 kërcënimet që pranoi Kajtazi.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.





Ndërsa, vetë Kajtazi ka dërguar letër në adresë të AGK-së, ku ka thënë se me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve.

“Prej asaj dite kam marrë qindra kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Këto kërcënime janë nxitur edhe nga reagimet e grupit të dënuar të cilët lirshëm shkruajnë e lidhen me Televizione. Sot, zyrtarisht kam hapur rast në Polici kundër një numri prej 100 personash kërcënimet e të cilëve janë shumë serioze. Me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Numri i rastit të hapur në Polici është 2021 – AB 3245”, ka shkruar Kajtazi në letrën për AGK-në.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/