Home Uncategorized Shtyhet pushimi dimëror për nxënësit në Kosovë

Shtyhet pushimi dimëror për nxënësit në Kosovë





Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë, por edhe arsimin ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur.

Madje ai tha se gjatë pandemisë një numër i nxënësve nuk kanë qenë të kyçur në procesin mësimor.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me kolegët tanë në Ballkan dhe Evropë përmes edukimit internacional dhe në takime është vlerësuar se kudo në botë pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë dhe sektorë tjerë, por ka krijuar probleme goxha të mëdha edhe në arsim dhe janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur atë që na kanë krijuar mundësitë atë që kemi mundur karshi vështirëve të mëdha edhe në Kosovë pandemia dëmtoi dhe krijoi probleme të mëdha ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur sepse institucionet e shtetit tonë edhe përkundër deklarimeve se arsimin e kanë prioritet këtë gjë nuk e kanë bërë”, tha ai.





Ai tha është vendosur që të bëhet zëvendësimi i të gjitha orëve të humbura dhe pushimi dimëror të fillojë më vonë. Jasharaj theksoi se nëse nxënësit rrezikohen të preken nga Covidi, atëherë duhet të vazhdohet me mësimin online, i cili do të jetë mjaft i vështirë sepse mungojnë pajisjet.

“Task-Forca brenda MAShT-it janë dakorduar dhe kanë dhënë në të gjitha shkollat një propozim një kalendar të zëvendësimeve ku janë paraparë disa të shtuna. Pushimi dimëror do të fillojë më vonë dhe është planifikuar zëvendësimi të të gjitha ditëve të humbura. Uroj që ministria e Shëndetësisë por edhe Task-Forca brenda MAShT ta përcjellin situatën jo vetëm në Kosovë por edhe rreth nesh”, tha ai për EO.

Sipas tij, mësimdhënësit do të veprojnë sipas situatës dhe t’i respektojnë vendimet e IKShPK-së, MSh-së por edhe të MAShT-it.

“Nëse ata e shohin se mësimi me prani fizike veç po mbetet i rrezikuar atëherë ne me të gjitha mundësitë do të angazhohemi në mësimin online, i cili nuk është më i miri ngase ka mungesë të pajisjeve, numër të konsiderueshëm të nxënësve që nuk do të mund të kyçen fare dhe do të jetë vit më i vështirë. Por ne do të angazhohemi të arrijmë atë që mundemi brenda mundësive dhe rrethanave të krijuara”, tha Jasharaj.