Ta quash shkollë xhudoje është pak, sepse aty jo vetëm që e mësuan këtë sport, por pastaj e dominuan botën përmes tij. Në fakt, çfarë do që të themi për mjeshtrin e rangut botëror, Driton Kuka dhe nxënëset e tij triumfale, është pak, shumë pak në krahasim me atë që I kanë dhënë ata sportit dhe jo vetëm sportit.
Nga kjo palestër e vogël e nga thuajse një lagje e Pejës, njeriu që na hoqi nga fjalori termin “Me rëndësi pjesëmarrja”, prodhoi tri kampione olimpike që jo vetëm se e ngritën emrin e tyre dhe atë të shtetit tonë në nivelet më të larta të sportit botëror, por i shkruan ato me shkronja të arta në historinë e Lojërave Olimpike, evenimentit më të madh sportiv në planet.
Duke folur për mikrofonin e RTV 21, Driton Kuka tregon se çfarë do të thotë për të triumfi historik në Tokio 2020.
“Perceptimi i këtij rezultati do kohë. Medaljen e artë të Rios kam filluar ta shijojë pas 5-6 muajsh, në fillim të duket abstrakte. Tash e di çka më pret sepse duhet kohë ta kuptojmë se çfarë kemi bërë”, deklaroi Driton Kuka.
Olimpiada e Tokios ishte e para edhe për Nora Gjakovën, vajzën e artë që prej vitesh e shohim krahë Majlinda Kelmendit. Kësaj here, ishte radha e saj që të kthehet me një medalje të artë olimpike. E triumfi në finale ishte aq i pabesueshëm për të, sa që për një moment nuk e kuptoi se ishte ajo e arta e kategorisë së saj.